(VIDEO) Dy të arrestuar për kontrabandën me ar në aeroportin e Shkupit, njëri doganier
Prokuroria Themelore Publike Shkup kërkon paraburgim për 2 të dyshuarit për kontrabandën e stolive të arit në aeroportin e Shkupit. Nga prokuroria njoftojnë se kanë lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër dy personave, njëri prej të cilëve dyshohet për vepër penale – Mashtrim dhe i dyti për ndihmë në kryerjen e krimit.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE SHKUP
“Më 20 mars, në vendkalimin kufitar Aeroporti i Shkupit, në hyrje të vendit, i dyshuari 32-vjeçar me dy shtetësi turke dhe serbe, përmes linjës doganore ka bartur mallin e padeklaruar. Bëhet fjalë për mbi 43 kilogramë stoli ari të ndryshme, me një vlerë totale prej 2.200.000 euro. Në këtë qëllim e ka ndihmuar i dyshuari i dytë duke i hequr pengesat për kryerjen e veprës penale”.
Nga prokuroria thonë se shtetasi i huaj ka mbërritur me një fluturim nga Stambolli për në Shkup dhe në vendin e marrjes së bagazheve është pritur nga ndihmësi i tij, punonjës i Drejtorisë së Doganave në RMV i cili në atë moment nuk ishte në ndrim dhe motra e tij udhëtonte me të njëjtin aeroplan. Doganieri ia ka marrë bagazhin motrës dhe të dyshuarit dhe i ka futur në karrocën e bagazheve, pas së cilës të tre janë drejtuar në “korridorin e gjelbër” për të dalë nga aeroporti pa deklaruar mallrat doganore.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE SHKUP
“Korridori i gjelbër’ është mbyllur me shirit sigurie, kështu që doganieri i dyshuar e ka hequr shiritin dhe ka vazhduar në drejtim të daljes. Për këtë ka reaguar doganieri që ka kontrolluar fluturimin, por i dyshuari është prezantuar si koleg doganier dhe ka vazhduar të lëvizë në drejtim të daljes së bashku me motrën e tij dhe shtetasin e huaj të dyshuar”.
Doganierët të cilët kanë qenë në orar pune kanë ndërhyrë, kanë kontrolluar personat dhe në çantën e shpinës së pasagjerit nga Stambolli kanë gjetur 15 kilogramë stoli ari, ndërsa pjesa tjetër e stolive me vlerë janë gjetur në valixhen e të dyshuarit të ngarkuar në karrocën e bagazhit.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit, sepse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje, mundësi për t’u fshehur, falsifikuar apo asgjësim të gjurmëve të veprës penale.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/