Mesazhi i reisit Shaqir Fetahu për Ramazanin: Të mbizotërojë paqja, respekti dhe toleranca
Për të gjithë besimtarët mysliman nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit.
Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, kreu i Bashkësisë fetare islame të Maqedonisë së Veriut reis Shaqir Fetai tha se mirësia, paqja, humanizmi, afrimi me njëri tjetrin, ngritja e moralit në shoqëri dhe nxënia e diturisë, janë disa nga mesazhet që ky muaj i përcjell, që janë shumë të rëndësishme për kohën në të cilën jetojmë.
Fetai uroi që në këtë muaj të ketë kthim në vlerat e vërteta njerëzore, të mbizotërojë paqja, respekti dhe toleranca ndaj bashkëqytetarëve, pa dallim përkatësisë etnike e fetare.
“Mesazh tejet i nevojshëm për kohën ku jetojmë, që Ramazani e përçon në shoqërinë tonë është mesazhi i paqes, mirësisë dhe humanizmit. Ky mesazh, reflektohet përmes solidaritetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve në nevojë, sepse duke mos ngrënë e mos pirë, më së miri e kuptojmë se ç’do të thotë të jesh i uritur dhe të jesh skamnor. Përmes këtij mesazhi krijohen ura lidhëse mes të pasurve dhe të varfërve, dhe ngjall dashuri dhe simpati në zemrat e njerëzve”, deklaroi Shaqir Fetai, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame.