(VIDEO) Kovaçevski priti në takim Albin Kurtin: Dialogu, mjet i vetëm për zgjidhje të mosmarrëveshjeve

(VIDEO) Kovaçevski priti në takim Albin Kurtin: Dialogu, mjet i vetëm për zgjidhje të mosmarrëveshjeve

Presidenti Stevo Pendarovski në Ohër ka pritur në takim përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian Josep Borel, presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në sesion punues të negociatave në kuadër të dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë nën patronazhin e BE-së. Presidenti Pendarovski konsideron se është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo seancë pune e dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të mbahet në Ohër, sepse është shenjë se Republika e Maqedonisë së Veriut ka treguar sjellje jotipike ballkanike në vitet e kaluara dhe funksionon si një demokraci e vërtetë multietnike, e cila është e rrallë dhe në korniza më të gjera.

PRESIDENCA

“Ne e perceptojmë këtë si një njohje të asaj që është arritur në periudhën e kaluar dhe një nxitje për forcat politike të brendshme për të vazhduar me reformat evropiane, në mënyrë që ne të bëhemi sa më shpejt një anëtar i plotë dhe formal i Bashkimit Evropian”.

Sipas presidentit Pendarovski  negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme rajonale, zgjidhja e së cilës mund të ndihmojë në stabilizimin e përhershëm të rajonit dhe integrimin e tij më të shpejtë evropian dhe euroatlantik.

Po ashtu edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski ka zhvilluar në Ohër takim dypalësh me homologun e tij kosovar Albin Kurti. Kryeministri Kovaçevski i uroi mirëseardhje dhe bisedime të suksesshme, si hap i rëndësishëm për konsolidimin e rajonit dhe integrimin e tij evropian.

 

QEVERIA

“Kryeministri Kovaçevski, edhe një herë ka rikonfirmuar mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në këtë drejtim”.

Nga shërbimi i qeverisë informojnë se Kovaçevski dhe Kurti kanë rënë dakord që veprimet ushtarake dhe mosmarrëveshjet karakteristike për Ballkanin njëherë e përgjithmonë duhet t’i përkasin të shkuarës dhe rajoni të shkojë drejt përparimit, fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një ekonomie të fortë që do të thotë një standard më i mirë për të gjithë qytetarët.

Ndryshe, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, gjegjësisht përfaqësuesin e tyre Miroslav Lajçak, në Ohër po diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizim të raporteve mes dy vendeve. Në cilësinë e vëzhguesit, merr pjesë edhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. /SHENJA/

 

MARKETING