(VIDEO) Mickoski: Nuk duam Qeveri teknike, të shkojmë menjëherë në zgjedhje, Kovaçevski thotë “jo”

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se ata nuk dëshirojnë të ketë Qeveri teknike 100 ditë para datës, madje kërkojnë që të ndërrohet edhe Ligji. Sipas tij, VMRO-DPMNE është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare pa qeveri teknike dhe me Spasovskin ministër i Punëve të Brendshme.

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO-DPMNE-SË

“Nuk ka nevojë për Qeveri teknike, nuk ka nevojë për ato 100 ditë, por të shkojmë menjëherë në zgjedhje. Mendoj se kjo është më e arsyeshme. Nëse flasim për zgjedhje në vjeshtë, atëherë nëse i pyesin këta njerëz, a të ketë zgjedhje parlamentare më pas zgjedhje presidenciale vitin e ardhshëm, gjegjësisht shteti dhe biznesi të jenë në ngërç më tepër se 10 muaj, sigurisht se do të ju thonë jo. Gjegjësisht ose tani zgjedhje të parakohshme ose së bashku me një shpenzim zgjedhje parlamentare dhe presidenciale”.

Në anën tjetër, kryeministri Dimitar Kovaçevski  tha se kryeministri teknik do të emërohet në 100 ditët e fundit të mandatit të qeverisë aktuale, duke shtuar se në zgjedhjet e ardhshme sërish do të marrin mbështetjen e qytetarëve.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Për dallim nga VMRO-DPMNE, LSDM respekton marrëveshjet e koalicionit. Për një kryeministër që do të kryejë një rol teknik, kjo do të ndodhë në fund të vitit të ardhshëm, pra në 100 ditët e fundit të mandatit të kësaj qeverie para zgjedhjeve dhe kemi besim se në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm do të marrim mbështetjen e qytetarëve”.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme Kovaçevski tha se kjo çështje është mbyllur dhe ato do të mbahen në mandatin e tyre të rregullt.

Medina Ajeti/SHENJA/

 

 

 

MARKETING