Vuçiq: S’do ta nënshkruaj kurrë kapitullimin e Serbisë

Vuçiq: S’do ta nënshkruaj kurrë kapitullimin e Serbisë

“Le ta dinë të gjithë. S’mund të ndodhë kurrë që unë ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten duke aluduar në lejimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Serbia s’do të pajtohet që Kosova të hyjë në OKB dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës. Jemi të gatshëm të bëjmë kompromise, por shqiptarët s’duan të bëjnë asgjë. Serbia është aktere serioze dhe luan fer”, ka thënë ai në një intervistë për “TV Happy”.

Vuçiqi ka komentuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pas takimit që patën në Prishtinë. Sipas tij, ka pak progres.

“Jam gati i sigurt që Kurti nuk dëshiron ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Dhe ne nuk kemi asgjë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Serbia s’ka asgjë kundër, por Perëndimi nuk është i gatshëm t’i bëj presion Kurtit”, ka thënë Vuçiqi, duke shtuar se Perëndimi “po e inkurajon Kurtin për mospërmbushjen e obligimeve”.

Presidenti i Serbisë ka thënë se qëndrimin e tij ua ka bërë të qartë edhe zyrtarëve ndërkombëtarë.

“Njerëzit në Serbi duhet të dinë se askush nga lidershipi i shtetit s’ka shkruar ndonjë plan apo propozim. Është shkruar nga fuqitë perëndimore, Gjermania e Franca. E di çdo detaj dhe duhet të mbesim në bisedime, por s’do të ketë kapitullim apo dorëzim, s’do të ketë njohje të Kosovës”, ka thënë ai, shkruan “Danas”.

Sipas tij, pranimi i Kosovës në OKB varet vetëm nga Serbia, pasi “po të thotë Serbia ‘po’ askush tjetër nuk e kundërshton”.

Serbia dhe Kosova më 27 shkurt u pajtuan me përmbajtjen e propozimit evropian, sipas zyrtarëve të BE-së, edhe pse kryeministri Kurti deklaroi se Vuçiqi ka refuzuar nënshkrimin. Lajçak po qëndron në Prishtinë për diskutime për planin e zbatimit. Do ta vizitojë edhe Serbinë.

Në nenin 4, të planit të publikuar nga BE-ja, theksohet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Pavarësisht kësaj, Vuçiqi ka përsëritur disa herë se “Serbia s’do ta lejojë hyrjen e Kosovës në OKB”.

MARKETING