(VIDEO) Kovaçevski: Kemi mundur ta shpëtojmë Bllagojçen, kërkova përgjegjësi nga Sali

(VIDEO) Kovaçevski: Kemi mundur ta shpëtojmë Bllagojçen, kërkova përgjegjësi nga Sali

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka komentuar  vdekjen e pacientit me fibrozë cistike Bllagojçe Ilievski. Kovaçevski tha se ka biseduar me ministrin e Shëndetësisë Bekim Sali, të cilit i ka thënë se është e papranueshme mënyra se si është realizuar deri tash çështja e ilaçeve për personat me këtë sëmundje të rëndë.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Kam biseduar me ministrin Sali dhe i thashë se kjo është e papranueshme. I thashë të mendoj dhe të më thotë nëse mund ta zgjasë mandatin dhe unë do ta marr vendimin pas kësaj. Kam folur edhe me drejtorin e Fondit të Shëndetësisë. Nuk kam ndërmend të pres nëpër labirinte burokratike, ndaj duhet të merren hapa konkretë”.

Ndërkohë, Asociacioni i të sëmurëve me fibrozë cistike para Qeverisë me një minutë heshtje e nderoi Bllagojçe Ilievskin. Irena Vasilevska, prind i një fëmije me fibrozë cistike tha se pacientët nuk mund të presin më.

IRENA VASILEVSKA NGA ASOCIACIONI I TË SËMURËVE ME FIBROZË CISTIKE

“Erdhëm për të nderuar shokun tonë që humbi betejën me këtë sëmundje. Është e trishtueshme që pacientët vdesin nga fibroza cistike tashmë në shekullin 21. Nuk ka më pritje, këta pacientë nuk mund të presin as një minutë. Kërkoj nga të gjitha autoritetet që të blejnë ilaçe për të 60 pacientët “

Ndërkohë, ministri Bekim Sali beson se Ministria e Shëndetësisë nuk do të ishte institucioni më përgjegjës për rastin e Bllagojçe Ilievskit, pacientit më të rëndë me fibrozë cistike, i cili ndërroi jetë pasi nuk pranoi ilaçin “Trikafta” që duhej ta merrte nga shteti.

BEKIM SALI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Anëtarët e Shoqatës së Fibrozës Cistike me të cilët jam në komunikim e dinë gatishmërinë time për të zgjidhur atë problem që fatkeqësisht u nxit nga faktorë të tjerë dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë, duke qenë se Ministria e Shëndetësisë nuk i blen barnat por organizon sistemin dhe ligjërisht mundëson të gjitha lëvizjet, pra dhënien e kompetencave institucioneve që mund të disponojnë dhe si të organizohen”.

Sali njoftoi se janë siguruar 140 milionë denarë për ilaçin Trikafta.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING