(VIDEO) Gjykata në Strasburg më 16 shkurt do ta shpallë vendimin për abolimin e Ivanovit

(VIDEO) Gjykata në Strasburg më 16 shkurt do ta shpallë vendimin për abolimin e Ivanovit

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg më 16 shkurt do ta shpallë vendimin për abolimin e dhënë nga ish-presidenti Gjorge Ivanov për ish-funksionarët dhe personat e tjerë të ndjekur nga Prokuroria Speciale Publike. Informacionin për datën e publikimit për “Fokus” e ka konfirmuar edhe agjentja e qeverisë nga Byroja për Përfaqësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut para GJEDNJ-së, Danica Xhonova, transmeton Portalb.mk. “Për disa nga rastet që ju interesojnë ka njoftim për publikim më 16 shkurt në faqen e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, tha Xhonova. Me abolimin e Ivanovit nga prilli i vitit 2016, janë përfshirë 54 persona nga rastet e PSP-së. Mirëpo, një veprim i tillë i ish-presidentit shkaktoi reagime të ashpra në opinion dhe protesta, kështu që pas një muaji e gjysmë dhe pas ndryshimeve ligjore në Ligjin për falje, ai tërhoqi abolimet.

Disa nga ish-zyrtarët që ishin në listën e Ivanovit më vonë në Strasburg e problematizuan procedurën e zhvilluar ndaj tyre nga PSP, duke kërkuar heqjen e ligjit. Nga i njëjti aspekt, avokatët e tyre shpesh kundërshtonin çështjet në gjykatat vendase, duke iu referuar tezës se pasi të jetë dhënë një abolim, ai nuk mund të tërhiqet.

Kërkesën e parë në Strasburg e ka dërguar në fillim të nëntorit 2017, ish-kryetari i Manastirit, Vladimir Taleski, mirëpo, deri në fund të vitit 2018 janë dorëzuar tetë kërkesa të tjera, ndërsa në mesin e aplikantëve janë: ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrat Gordana Jankuloska dhe Mile Janakieski, sekretari i përgjithshëm i qeverisë në kohën e VMRO-DPMNE-së, Kiril Bozhinovski, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, ish-kryetarët e komunave të Gazi Babës dhe Pustecit (Shqipëri), Toni Trajkovski dhe Edmond Temelko. /SHENJA/

 

MARKETING