ASH: Na vjen keq që VMRO nuk ka mësuar nga gabimet e veta
Ka reaguar Aleanca për Shqiptarët, e cila vlerëson se partnerët strategjik, ata që kanë përkrahur në vazhdimësi rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së, presin nga ne që të heqim barrierën e fundit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE: ndryshimet kushtetuese.
“Çdo skenar tjetër çon në izolim, pasiguri dhe jostabilitet në një kohë kur Evropa është më e trazuar se kurrë, që nga lufta e dytë botërore. RMV nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE. Rezoni shtetëror duhet të mbizotërojë mbi kalkulimet politike. U takon të gjitha forcave pro-perëndimore që të angazhohen për unifikimin përfundimtar të kontinentit”, thuhet në reagim.
Aleanca thekson se u vjen keq që VMRO-DPMNE ka harruar historinë e saj të afërt dhe nuk ka nxjerrë mësime nga gabimet e veta. “Kalkulimet elektorale në çështje strategjike janë papjekuri politike për një parti që pretendon se është shtetndërtuese”, thuhet në fund të reagimit. /SHENJA/