(VIDEO) Pendarovski: Ballkani Perëndimor- “Pika e dobët”, për sigurinë evropiane

(VIDEO) Pendarovski: Ballkani Perëndimor- “Pika e dobët”, për sigurinë evropiane

Presidenti Stevo Pendarovski, gjatë fjalimit të tij në panelin “Në mbrojtje të Evropës”, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, e përshkroi  Ballkanin Perëndimor si një vend specifik për fushata të mundshme  të ndikimit nga Rusia. Presidenti Pendarovski vlerësoi se një pikë  e dobët në arkitekturën e sigurisë evropiane, përveç Ukrainës, është Ballkani Perëndimor dhe kësaj duhet t’i kushtojnë vëmendje NATO dhe BE.  I pyetur për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, presidenti Pendarovski theksoi se ekzistojnë dy pika të ndjeshme në rajon, Republika Srpska dhe veriu në Republikën e Kosovës, ku tentohet të cenohet integriteti i këtyre vendeve.

Stevo Pendarovski

 “Pika e dobët në arkitekturën e Evropës dhe rreziku nga Kremlini është Ballkani Perëndimor. Nuk jam i shqetësuar se do të kemi unitet dhe solidaritet transatlantik dhe pan-evropian edhe këtë vit, por pyes veten nëse do të ruhet kur të përfundojë lufta në Ukrainë dhe kjo është çelësi që demokracia të mbizotërojë mbi autokracinë”.

Gjëja më e rëndësishme, sipas tij, është ruajtja e unitetit dhe solidaritetit të plotë pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

Stevo Pendarovski

“Nëse demokracitë nuk qëndrojnë dhe nuk mbeten të bashkuara, duke respektuar të njëjtat vlera dhe duke luftuar për to, atëherë autokracitë do të mbizotërojnë. E pamë vitin e kaluar kur filloi lufta në Ukrainë dhe më parë në Bjellorusi se dilema dhe beteja bazë është midis demokracisë apo autokracisë, pra diktaturës siç është sot në Rusi. Prandaj duhet të kemi unitet dhe solidaritet të plotë edhe pas luftës në Ukrainë. Kjo është e nevojshme për të pasur një botë më të mirë”.

Në këtë panel folën edhe presidentët e Polonisë, Andzhej Duda dhe i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ministri i punëve të jashtme i Spanjës, Jose Manuel Alvarez Bueno dhe lideri i forcave demokratike të Bjellorusisë, Svetllana Tihanovskaja.

Në kuadër të forumit në Davos, presidenti Pendarovski do të marrë pjesë edhe në panelin “Dialogu diplomatik për Ballkanin Perëndimor”, ku do të ketë disa takime bilaterale me pjesëmarrësit e forumit.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i titulluar “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, zhvillohet nga 16 deri më 20 janar 2023 dhe mbledhë së bashku liderë nga politika, biznesi dhe shoqëria civile për të debatuar gjendjen e botës dhe prioritetet për vitin në vazhdim.

Enis Murtezi /SHENJA/

 

MARKETING