(VIDEO) VMRO-ja e pyet Taravarin se për fuqinë ndërkombëtare që i kërkon hyrjen në Qeveri
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti , ju ka bërë thirrje të gjithë partive politike që ta tejkalojnë vetën, me qëllim që të krijohet një front më i gjerë pro-evropian, i cili do të merrej me procesin integrues. I pyetur rreth zgjedhjeve eventuale të parakohshme, Ahmeti ritheksoi edhe një herë se shumica parlamentare është stabile.
ALI AHMETI, KRYETAR I BASHKIMIT DEMOKRATIK PËR INTEGRIM 13:03
“Unë kam thënë publikisht, kanë provuar ta fitojnë BDI-në por nuk e kanë fituar dhe hajde tani të reflektojnë dhe të gjithë nga pak të mposhtin krenarinë dhe të shohim se si do ta ndërtojmë një front për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian…sepse ky është momenti më i rëndësishëm për t’i avancuar çështjet tona dhe njëherit për të përmirësuar standardet tona”.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, gjatë ditës së djeshme në emisionin Clicks Plus në televizionin 21, ka deklaruar se nëse Aleanca për Shqiptarët nuk bëhet pjesë e Qeverisë, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, ai kështu e arsyetoi mundësinë që partia e tij të bëhet pjesë e shumicës. Taravari tha se të gjitha rekomandimet nga ndërkombëtarët janë që prioritet duhet t’i kushtohen ndryshimeve kushtetuese.
Në anën tjetër, zëdhënësi i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Naum Stoillkovski sot ka kërkuar publikisht nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të tregoj se cili është faktori ndërkombëtar, i cili kërkon që ASh të bëhet pjesë e Qeverisë.
NAUM STOILKOVSKI, ZËDHËNËS I VMRO-DPMNE
“Nëse Taravari hesht dhe nuk e thotë, do të thotë se Taravari nuk është i sinqertë dhe ka arsye tjetër pse dëshiron të hyjë në Qeveri”
Stoilkovski shtoi se Taravari duhet t’i përgjigjet qartë dhe me zë të lartë opinionit se cili është faktori ndërkombëtar që kërkon hyrjen e Aleancës në qeveri, sipas tij, nëse nuk e thotë Taravari, do të thotë se ka një arsye tjetër pse dëshiron të hyjë në Qeveri.
Samir Mustafa/SHENJA/