(VIDEO) Sërish anulohet seanca gjyqësore për zjarrin modular të Tetovës

(VIDEO) Sërish anulohet seanca gjyqësore për zjarrin modular të Tetovës

Për shkak të mungesës së Artan Etemit, njëri nga dy drejtorët e akuzuar të spitalit të Tetovës, seanca e sotme kryesore për spitalin modular në Tetovë është shtyrë. Avokatët e tij njoftuan se Etemi nuk ka mundur të jetë prezent për shkak të vdekjes së një familjari të ngushtë.

Gjyqtari Jordan Vellkovski ka njoftuar se gjykimi do të vazhdojë më 31 janar, datë kjo e caktuar në dhjetor të vitit 2022. Në të njëjtën kohë, datat 16 shkurt dhe 2 mars u vendosën si datat e radhës për vazhdimin e gjykimit.   Dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria që ishin caktuar të dëshmojnë sot, janë  udhëzuar të paraqiten sërish në takimin e radhës më 16 shkurt.

Pak para se të fillonte seanca gjyqësore, jashtë objektit të gjykatës një grup qytetarësh mbajtën një protestë paqësore në mbështetje të doktor Boban Vuçevski, ish përgjegjësi I qendrës kovid. Sipas qytetarëve ai është i akuzuar në formë të padrejtë dhe se nuk ka faj dhe përgjegjësi për zjarrin.

Ndryshe  zjarri në spitalin modular, ndodhi më 8 shtator 2021, ku u dogjën për së gjalli 14 pacientë të prekur nga kovidi dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Të akuzuarit për këtë rast janë ish-drejtori i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës- Artan Etemi, përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës si person juridik, për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING