(VIDEO) VMRO akuzon ministrin Spasovski për arratisjen e Memetit

(VIDEO) VMRO akuzon ministrin Spasovski për arratisjen e Memetit

VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në lidhje me arratisjen e të burgosurit Bekim Memeti gjatë përcjelljes nga burgu I drizovës në Qendrën Klinike. Nga VMRO-DPMNE thonë se siç u raportua fillimisht  komandanti që ndodhej në turn në mbrëmjen kritike ishte një ish-polic në MPB i cili u shkarkua nga puna për krimin e marrjes së ryshfetit. VMRO-DPMNE  akuzon ministrin e Punëve të Brendshme se është përgjegjës për faktin se i njëjti person është punësuar dhe avancuar në burgun e Idrizovës.

Si dëshmi për këto pohime, VMRO-DPMNE ka shpërndarë disa fotografi nga profili i komandantit në Facebook që sugjerojnë se ai është simpatizant i LSDM-së.

VMRO DPMNE

“Spasovski është përgjegjës për arratisjen e të burgosurit vrasës. Ai nuk është vetëm ministër në MPB, por është edhe ministri që e ktheu në punë komandantin Dimitrijevskin pas kryerjes së një krimi dhe e emëroi në detyrë komanduese. Spasovski nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Spasovski të përballet me pasojat e paaftësisë dhe kriminalitetit të tij. Dorëheqje menjëherë!”.

Në lidhje me këtë kanë reaguar nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët thonë se VMRO-DPMNE me vetëdije gënjen apo është e pandershme, prandaj nuk e dinë se MPB nuk ka lidhje me policinë e burgjeve.

MPB

“Ministria e Punëve të Brendshme i mohon fuqishëm gënjeshtrat e VMRO-DPMNE-së të paraqitura në njoftimin e sotëm. Bëhet fjalë ose për gënjeshtër të vetëdijshme, ose për analfabetizëm dhe pamjaftueshmëri të plotë, sepse edhe një gjysëm i ditur e di që Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka lidhje me policinë e burgjeve, por është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, është Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve”.

Nga MPB thonë se ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, as nuk ka mundur dhe as nuk ka të bëjë me emërimin e komandantëve në burgun e Idrizovës, sepse ai nuk ka asnjë autoritet për këtë.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING