(VIDEO) Fabrika e çimentos do të sanksionohet nëse ka shkelur ligjin

(VIDEO) Fabrika e çimentos do të sanksionohet nëse ka shkelur ligjin

Pas deklaratës së kryetares së qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila tha se do të ngrejë kallëzim penal kundër fabrikës së çimentos “Titan Usje” për shkak se inspektorët e Qytetit të Shkupit dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë konstatuar se lëshon grimca të dëmshme dhe gazra tre herë mbi kufijtë e lejuar, gjatë ditës së sotme është prononcuar edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, i cili informoi se janë duke e shqyrtuar raportin e inspektimit në këtë fabrikë dhe sipas Nuredinit,  nëse ka parregullsi, do të ketë sanksione.

NASER NUREDINI-MINISTËR I MJEDISIT JETËSOR DHE PLANIFIKIMIT HAPËSINOR

“Është bërë një inspektim i jashtëzakonshëm në ‘Usje’, me kërkesë të institucioneve dhe Qytetit të Shkupit. Ne i kemi rezultatet, tani jemi duke e shqyrtuar raportin dhe do të vazhdojmë me ato procedura që kërkohen me ligj dhe nëse ka ndonjë lëshim do të ketë sanksione ndaj asaj kompanie. Do ta prezantojmë në mënyrë të plotë dhe transparente, kur të shqyrtohet raporti dhe komisioni t’i ketë marrë në shqyrtim të gjitha”.

Qyteti i Shkupit ditëve të fundit është renditur në top 10 vendet e para të botës, me ajër më të ndotur, madje në njërën prej ditëve ishte u pari në Evropë, për sa i përket ajrit të ndotur. Ministri Naser Nuredini sqaroi se 35 nga 45 për qind e ndotjes vjen nga djegia e biomasës ndërsa në vendin e dytë që më së shumti e ndotin ajrin në qytet janë veturat e vjetra.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING