Sheikët e PSG-së synojnë blerjen e njërit prej top-klubeve angleze
Kompania që zotëron aksionet e Paris Saint-Germain, Qatar Sports Investments (QSI) është e interesuar të marrë pronësinë e njërit prej tre klubeve të mëdha angleze, Manchester United, Tottenham ose Liverpool, raporton Bloomberg News.
Presidenti i QSI-së, Nasser Al-Khelaifi së fundmi ka zhvilluar bisedime me presidentin e Tottenhamit, Daniel Levy për një blerje të mundshme të klubit, në një kohë kur drejtuesit amerikanë të Manchester United dhe Liverpool kanë njoftuar se po i shesin klubet.
Familja Glazer kohët e fundit konfirmoi se ata po kërkojnë investitorë ose blerës për 20 herë kampionët e Anglisë, Manchester United, teksa pronarët e Liverpoolit, Fenway Sports Group (FSG) gjithashtu janë duke konsideruar një opsion të ngjashëm.
Krahas Paris Saint-Germain-it, bosët e Katarit kanë aksione edhe në klubin portugez Braga.