Geer: RMV-ja deri në zgjedhjet 2024 të fokusohet në përmbushjen e reformave
Euroambasadori David Geer ka porositur sot na Kuvendi i Maqedonisë së Veriut se, fokusi i vendit për vitin 2023 duhet të jetë te reformat, duke thënë se, duhet të shfrytëzohet koha prej tani deri në zgjedhjet e vitit 2024, për të shtyrë përpara ato reforma shumë të nevojshme, në interes të qytetarëve. Ai po ashtu, përmendi edhe rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të bëj përparim në rrugën drejt integrimit evropian.
“Ndryshimet kushtetuese me qëllim të përfshirjes së qytetarëve të cilët vet-përcaktohen si bullgarë, mbetet vendim sovran i Maqedonisë së Veriut, por plotësimi i tij është i nevojshëm që të ruhet momentumi në negociatat. Bëhet fjalë për vendim i cili nuk varet prej askujt tjetër përpos juve. Më lejoni të sqarojë edhe një herë se, të anëtarësoheni në Bashkimin Evropian nuk ju heq në asnjë mënyrë gjuhën tuaj apo identitetin nacional”, deklaroi David geer, Ambasadori i BE-së në Shkup.
Gjatë fjalimit të tij në seancën e Këshillit Nacional për Eurointegrime në Kuvend, ku u prezantuan prioritetet e presedencës suedeze me Këshillin e BE – së, Geer po ashtu theksoi rëndësinë kyçe të sundimit të së drejtës. Ai theksoi se, Bashkimi Evropian, vendet anëtare dhe shtetet e tjera partnere kanë harxhuar miliona në këtë sektor, kështu që është e drejtë të pritet të ketë edhe rezultate të caktuara.