Zjarr në Parkun Kombëtar ”Mali Sharr” mbi fshatin Tearcë

Zjarr në Parkun Kombëtar ”Mali Sharr” mbi fshatin Tearcë

Dje një zjarr ka shpërthyer në Parkun Kombëtar “Mali Sharr”, konkretisht mbi fshatin Tearcë, Komuna e Tearcës. Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) njofton se zjarri është ende aktiv dhe i njëjti është në terren të vështirë për t’u arritur, pasi duhen të paktën dy orë ecje deri atje.

Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza Tetovë, lidhur me zjarrin njoftoi se kanë kontaktuar ankuesin, konkretisht rojtarin e punësuar në Parkun Kombëtar “Mali Sharr” dhe pas kësaj edhe drejtorin e Parkut Kombëtar dhe ai ka konfirmuar se zjarri është ende aktiv.

“Për zhvillimin e ngjarjeve janë njoftuar edhe forcat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Sipas informacioneve nga terreni deri te vendi i zjarrit në pyll mbi fshatin Tearcë, rruga është e gjatë rreth dy orë me ecje, pasi pozicioni ku ende digjet është shumë i lartë dhe në terren të vështirë. Përveç njoftimit të përfaqësuesve vendorë kompetentë të institucioneve për zjarrin, situata është monitoruar që nga dita e djeshme (07.01.2023, pas orës 13:00) kur në numrin e vetëm të telefonit të emergjencës 112 në QMK është marrë informacion për zjarrin në pyll në zonën “Kamnik” mbi fshatin Tearcë”, informuan nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Sipas informacioneve nga QMK, zjarri është përhapur në tre anë, në një terren shumë të vështirë të paarritshëm dhe për të arritur në të duhet të ecësh të paktën 2 orë.

“Në momentin e këqyrjes së djeshme është konstatuar se është djegur një sipërfaqe prej rreth 5-6 hektarësh, një pjesë e së cilës ishte pyll ahu dhe një pjesë kullota dhe fier. Në këtë zonë. para 4-5 vitesh ka pasur zjarr dhe si pasojë ka një numër të madh pemësh të rëna që tani po digjen. Nga Parku Kombëtar bëjnë me dije se ka shpresë që me uljen e temperaturës zjarri të shuhet vetë, një ekip kujdestar i Parkut Kombëtar ka monitoruar zjarrin duke qenë në terren dhe nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët që jetojnë përreth zonës ku ndodhet zjarri”, shtuan nga QMK.

MARKETING