(VIDEO) LSDM: Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, Mickoski mbetet nën hijen e Gruevskit
Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa në vitin 2024, Mickoski pret humbjen e 7-të dhe të 8-të radhazi si kryetar i VMRO-DPMNE-së. Kështu deklarojnë nga partia në pushtet LSDM, duke reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Nga LSDM, gjithashtu theksojnë se asgjë nuk ka ndryshuar te Mickoski. Sipas tyre, ai e filloi vitin në të njëjtën mënyrë që e përfundoi dhe ashtu siç bëri gjatë gjithë vitin e kaluar.
LSDM
“Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Në vitin 2024, Mickoski pret humbjen e 7-të dhe të 8-të radhazi si kryetar i VMRO-DPMNE-së. As ankesat publike të Mickoskit, as gënjeshtrat e tij të sajuara për një shumicë të re, nuk mund t’i ndalin reformat apo përparimin e vendit”.
Sipas LSDM-së, Mickoski mbetet peng i Apasievit dhe nën hijen e Gruevskit, dhe e gënjen popullin edhe në Krishtlindje.
LSDM
“Është tradhti të gënjesh popullin tënd, të bllokosh rrugën evropiane dhe njohjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas në familjen e madhe të kombeve evropiane”.
Në reagimin e tyre më tej thuhet se LSDM vazhdon me kursin reformues, me politikat ekonomike për rritjen e pagave dhe pensioneve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve. Ata theksojnë se LSDM vazhdon me investime dhe me hapat për anëtarësim të plotë në BE.
Samir Mustafa /SHENJA/