Sveçla: Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndalen

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se pret sërish provokime nga Serbia.

Sveçla në një intervistë për mediumin zviceran “20 minuten”, ka potencuar se “provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk do të ndalen”.

Ai ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndikoi në tensionimin e situatës në veri, transmeton Klankosova.tv.

“Ne kemi parë një përzierje të veprimeve të ndryshme destabilizuese në katër komunat veriore gjatë ditëve të fundit nën ndikimin e drejtpërdrejtë të shtetit serb dhe presidentit Vuçiq”, ka theksuar Sveçla.

“Ndikimi erdhi në formën e mobilizimit, financimit dhe mbështetjes logjistike. Përveç kësaj, ishin forcat e armatosura serbe, të cilat ishin vendosur në kufi si kërcënim. Sigurisht që ka pasur ndikim edhe nga Rusia si dhe nga organizatat kriminale në rajon, të cilat për vite me radhë e kanë keqpërdorur veriun e Kosovës si pikë transporti për mallra, drogë, madje edhe njerëz dhe kanë mundur të nxjerrin fitime të mëdha. Të gjithë këta faktorë janë kombinuar për të destabilizuar jo vetëm veriun e Kosovës, por të gjithë vendin”.

Sveçla ka treguar si u larguan bllokadat, teksa shtoi se bazuar në përvojat e mëparshme, kjo situatë do të jetë e përkohshme.

“Jemi ne që tani këmbëngulim për ligjin dhe rendin, për vlerat demokratike dhe për një shtet që u shërben të gjithë banorëve në mënyrë të barabartë. Me ndihmën e partnerëve tanë, ne kemi arritur gjithashtu të sjellim një de-përshkallëzim, por bazuar në përvojën e kaluar kjo është padyshim vetëm e përkohshme”, shtoi ai.

Ai ka folur edhe në lidhje me situatën si ishte në veri të Kosovës.

“Ishim dhe jemi të shqetësuar, por aspak të frikësuar. Analiza e situatës bazohet në fakte dhe arsye ekzistuese. Por skenarët e paarsyeshëm nuk mund të përjashtohen plotësisht. Aktualisht jemi dëshmitarë të një lufte në Evropë, në të cilën një despot ka ndjekur synime të errëta për Ukrainën dhe rajonin, duke kapërcyer vijat e kuqe që deri vonë dukeshin të paimagjinueshme”.

Sveçla është pyetur edhe a dëshiron që palët ndërkombëtare të përfshihen më shumë në zgjidhjen e konfliktit në veri të Kosovës.

“Të jemi të qartë: Serbia nuk është palë e punëve të brendshme në Kosovë, por më së shumti agresore. Serbia është palë vetëm në diskutimin për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Vetëm autoritetet e Kosovës janë kompetente për çështjet që kanë të bëjnë me organizimin e brendshëm të Kosovës. Kjo bëhet në partneritet dhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar”.

Ai në fund theksoi se është në dijeni se qytetarët serbë në Kosovë janë në presion të vazhdueshëm sipas tij, nga Beogradi.

“Ne e dimë se qytetarët tanë në veri të Kosovës nuk e kanë të lehtë. Sepse ata janë nën presion të vazhdueshëm fizik, psikologjik dhe financiar nga organizatat kriminale të kontrolluara nga Beogradi. Por edhe nga organizata të ndryshme kriminale nga rajoni. Nga ana tjetër, ne ofrojmë instrumente të shtetit ligjor që përpiqen të ofrojnë siguri për të gjithë banorët. Janë organizatat kriminale që përpiqen të shtypin popullsinë vendase dhe veçanërisht zërat e pavarur dhe të drejtë. Jam i bindur se rendi dhe ligji së shpejti do të triumfojnë edhe atje”.

MARKETING