Kroacia nga sot pjesë e Shengenit

Kroacia nga sot pjesë e Shengenit

Në fillim të dhjetorit 2022, Kroacia mori mbështetjen unanime të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për hyrjen në Shengen nga sot, duke zgjeruar kështu zonën Shengen për herë të parë në më shumë se një dekadë.
Ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së pranuan zyrtarisht hyrjen e Kroacisë në zonën Shengen ndërsa bllokuan Bullgarinë dhe Rumaninë, të cilat ishin gjithashtu kandidate.
Hyrja në Shengen shfuqizon kontrollin kufitar midis Kroacisë dhe anëtarëve të tjerë të Shengenit të BE-së, përfshirë Slloveninë dhe Hungarinë, me synimin për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Në kufijtë e jashtëm të Kroacisë, në kufijtë me Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, kontrolli kufitar mbetet i njëjtë.

Kroacia bëhet kështu anëtarja e 27-të e zonës Shengen dhe prej sot (1 janar 2023) hiqen kontrollet kufitare në pikat kufitare tokësore dhe detare ndërsa në pranverë, më 26 mars 2023, edhe në aeroporte.

Aderimi i Kroacisë në zonën Shengen ishte proces i gjatë ndërsa gjatë kësaj periudhe Kroacia duhej të përmbushte 281 kritere. Kriteret teknike nënkuptojnë se Kroacia, me ndihmën e fondeve të BE-së, duhet të financojë, ndërtojë dhe pajis pikat kufitare dhe infrastrukturën tjetër për nevojat e policisë në përputhje me kriteret evropiane, të marrë pajisje teknike për mbikëqyrjen kufitare, të investojë në sistemet e TI-së, të hyjë në sistemin e informacionit Shengen, krijimin e një sistemi vizash, etj.

Avantazhi kryesor i anëtarësimit është hyrja e lirë në vend për turistët që vijnë në Kroaci kryesisht me automjete nga zona Shengen, por edhe lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, raportoi Anadoly Agency.

Me hyrjen në Shengen shfuqizohen 73 pika kufitare, 12 prej të cilave në det, shumica në kufi me Hungarinë dhe Slloveninë. Kroacia bëhet vendi me kufirin më të gjatë tokësor, më shumë se 1.300 kilometra të gjatë, brenda Shengenit, ku pjesa më e madhe e vijës së kufirit të jashtëm është kufiri me Bosnjë e Hercegovinën.

Shengeni nënkupton politikë të përbashkët për vizat për qytetarët jashtë BE-së që vijnë për një periudhë të shkurtër, mundëson luftë të përbashkët kundër krimit përmes bashkëpunimit policor dhe gjyqësor.

Zona Shengen, së bashku me Kroacinë, përfshin territoret e 27 vendeve evropiane që kanë miratuar Marrëveshjen e Shengenit të nënshkruar në vitin 1985 në Shengen të Luksemburgut, nga të cilat 23 janë anëtarë të BE-së dhe katër vende joanëtare – Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni. Zona Shengen funksionon kryesisht si zonë e një shteti, me kontrolle tradicionale për ata që hyjnë dhe dalin nga zona, por nuk ka kontrolle të kufirit të brendshëm.

MARKETING