Pas tri ditësh heshtje, drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq, ka reaguar për postimin e tij në rrjetet sociale, ku shfaqej Ratko Mlladiq së bashku me figura të tjera të historisë serbe, përfshirë Drazha Mihajlloviqin.
Fotografia ishte publikuar me mbishkrimin “Gjeneralët e Ushtrisë Qiellore” dhe shkaktoi reagime të shumta në opinion dhe nga politikanët.
Kitanoviq thotë se postimin e ka fshirë menjëherë dhe se nuk pranon që ky veprim të interpretohet si pranim i akuzave ndaj tij.
“Jam gati të marr përgjegjësi për çdo fjalë që them. Por nuk do të marr përgjegjësi për manipulimet e fjalëve të mia nga të tjerët”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu tha se nuk do të lejoj që tërheqja e postimit të interpretohet si dobësi dhe se nuk dëshiron që përmes tij të fyhet as populli dhe as partia e tij.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa Kitanoviq dhe DPS-ja janë akuzuar se kanë lavdëruar Mlladiqin, i cili është dënuar për krime lufte.
Kritika ka pasur edhe ndaj qeverisë, për të cilën është thënë se nuk ka reaguar mjaftueshëm ndaj postimit.
Kitanoviq, ndërkohë, pretendon se ndaj tij po zhvillohet një “gjueti” dhe “linçim politik”.

