48 orë paraburgim për të dyshuarin për dhunë familjare në Shkup
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njoftoi se Gjykata Penale në Shkup i ka caktuar paraburgim 48-orësh Stojançe Jovanovskit, pas tragjedisë në lagjen Taftalixhe, ku bashkëshortja e tij Ivana Jovanovska dhe vajza e tyre gjashtëvjeçare u hodhën nga një ndërtesë.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet për disa vepra penale: lëndim trupor, rrezikim të sigurisë dhe nxitje ose ndihmë në vetëvrasje. Masa e paraburgimit është vendosur për të siguruar zhvillimin e hetimeve dhe mbledhjen e provave.
Institucionet bëjnë të ditur se burri prej vitesh dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se Ivana, vetëm dy orë para ngjarjes, e kishte denoncuar bashkëshortin për sulm në bulevardin “Goce Delçev”. Më pas ajo ka deklaruar se nuk kishte pasur konflikt dhe e ka tërhequr kallëzimin.
Hetimet për rastin vazhdojnë.

