30 ditë paraburgim për drejtorin dhe një zyrtar tjetër të Higjienës Komunale
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë hetimore ndaj dy personave, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, sipas nenit 230, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit janë ushtrues detyre drejtor dhe udhëheqës i sektorit të mbeturinave në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” – Shkup. Ata dyshohet se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave, duke mos përmbushur detyrimet për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave të padëmshme në territorin e Qytetit të Shkupit.
Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se të dyshuarit nuk kanë mbikëqyrur siç duhet procesin e mbledhjes dhe transportimit të mbeturinave komunale, ndërsa përmes menaxhimit të pasaktë kanë lejuar krijimin e deponive të vogla në hapësira publike dhe në afërsi të kontejnerëve.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në cilësinë e tokës, ajrit dhe ujit, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe duke mundësuar përhapjen e sëmundjeve infektive ose të tjera.

