24 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Më 13 gusht 2001, në rezidencën presidenciale në Ohër, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit – një dokument historik që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoninë e Veriut dhe hapi një kapitull të ri për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në vend.
Sot, në 24-vjetorin e nënshkrimit, rikujtohet rëndësia e kësaj marrëveshjeje, e cila u arrit mes përfaqësuesve të qeverisë së atëhershme, liderëve politikë të shqiptarëve dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja garantoi:
-
Përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe administratë
-
Përfaqësim proporcional të shqiptarëve në ushtri, polici dhe administratë
-
Decentralizim dhe kompetenca të zgjeruara për vetëqeverisjen lokale
-
Ndryshime kushtetuese, me qëllim sigurimin e barazisë së komuniteteve etnike
Qëllimi i Marrëveshjes Kornizë ishte ndërtimi i një shoqërie të qetë dhe të harmonizuar qytetare, me respekt të plotë për identitetin etnik dhe të drejtat e çdo qytetari.
Nënshkrues të kësaj marrëveshjeje ishin: kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.