Zyrtarët e Trumpit përleshen me stafin e varrezave në një ngjarje në SHBA

Zyrtarët e Trumpit përleshen me stafin e varrezave në një ngjarje në SHBA

Një ceremoni e vendosjes së kurorave në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit u bë shkak që zyrtarët e stafit të fushatës së ish-presidentit, Donald Trump të përfshiheshin në një “zënkë” me stafin e varrezave, për xhirimin e varrezave të ushtarëve të rënë.

Incidenti i raportuar fillimisht nga Radio Publike Kombëtare (NPR), ndodhi kur një punonjës i fushatës u përpoq të filmonte në një zonë të kufizuar, dhe një punonjës i varrezave u përpoq ta ndalonte veprimin, raporton BBC.

Fushata e Trumpit i mohoi akuzat dhe tha se ata morën leje nga familjet e anëtarëve të shërbimit të rënë për të filmuar, megjithëse ligji federal ndalon aktivitetin e fushatës politike te varrezat ushtarake.

Trumpi mori pjesë në memorial për të nderuar 13 anëtarët e shërbimit ushtarak amerikan që u vranë gjatë tërheqjes së SHBA nga Afganistani, tre vjet më parë.

Një burim i paidentifikuar i ka thënë NPR-së se punonjësit e Trumpit po përpiqeshin të filmonin dhe fotografonin një pjesë të varrezave ku janë varrosur viktimat e fundit amerikane.

Ligji federal kufizon xhirimet atje. Stafit të Trump-it i ishte bërë me dije paraprakisht se nuk mund të fotografonin ose filmonin atë pjesë të terrenit, thanë zyrtarët e varrezave.

Kur punonjësi i varrezave u përpoq të ndalonte zyrtarët e fushatës që të hynin në atë pjesë, ata abuzuan verbalisht dhe e shtynë zyrtarin mënjanë, ka thënë për NPR një burim i paidentifikuar.

Zyrtarët e mbrojtjes i kanë thënë CBS-së, se disa zyrtarë të fushatës së Trumpit ishin joprofesionistë dhe agresivë verbalisht dhe fizikisht ndaj zyrtarit të varrezave.

Mirëpo, fushata e Trumpit e ka mohuar versionin e historisë të paraqitur nga NPR-ja.

Steven Cheung, një zëdhënës i Trumpit, ka mohuar të ketë pasur një grindje fizike.

“Fakti është se një fotograf privat u lejua në ambientet dhe për çfarëdo arsye një individ pa emër, që vuante qartë nga një episod i shëndetit mendor, vendosi të bllokojë fizikisht anëtarët e ekipit të presidentit Trump gjatë një ceremonie shumë solemne”, ka thënë ai në një deklaratë.

Ndërkaq në një postim në Truth Social, Trump ndau një deklaratë nga familjarët e ushtarëve të rënë, ku kishin shprehur miratimin e tyre.

“Ne kemi dhënë miratimin tonë që videografi dhe fotografi zyrtar i presidentit Trump të merrte pjesë në ngjarje, duke u siguruar që këto momente të shenjta kujtimi të ishin kapur me respekt dhe kështu ne mund t’i çmojmë këto kujtime përgjithmonë,” thanë familjet në postimin e Trumpit në Truth Social.

Por kjo bie ndesh me politikën federale, i ka thënë BBC-së një zëdhënës i Varrezave Kombëtare të Arlingtonit.

Ligji federal ndalon fushatën politike ose aktivitetet e lidhura me zgjedhjet në bazë të varrezave ushtarake, duke përfshirë fotografët, krijuesit e përmbajtjeve ose këdo që mbështet drejtpërdrejt fushatën e një kandidati politik, ka shpjeguar zëdhënësi i varrezave.

MARKETING