Zyra e Mediave: 700 ditë luftë izraelite shkatërrojnë 90 për qind të Gazës

Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës njoftoi të shtunën se 700 ditë bombardimesh izraelite mbi enklavën kanë lënë pothuajse të gjithë infrastrukturën e territorit në rrënoja dhe kanë shkaktuar humbje mbi 68 miliardë dollarë.
Nëpërmjet një komunikate, zyra theksoi se kjo fushatë vdekjeprurëse ka rezultuar në shkatërrimin e rreth 90 për qind të infrastrukturës së Gazës, së bashku me “politika sistematike të gjenocidit dhe zhvendosjes së detyruar”.
Sipas zyrës, mbi 73.700 persona janë vrarë ose mbeten të zhdukur, përfshirë mbi 20.000 fëmijë dhe 12.500 gra. Gjithashtu, 2.700 familje janë fshirë plotësisht nga regjistri civil.
Midis të vdekurve janë 1.670 punonjës shëndetësorë, 248 gazetarë, 139 anëtarë të mbrojtjes civile dhe 173 punonjës komunalë. Mbi 162.000 të tjerë janë plagosur, shumë me lëndime që ndryshojnë jetën, si amputime, paralizë dhe humbje të shikimit.
Zyra gjithashtu raporton shkatërrimin e 38 spitaleve, 833 xhamive dhe 163 institucioneve arsimore, si dhe dëme të mëdha në mijëra objekte publike të tjera.
Ajo akuzon Izraelin për zhvendosje masive duke penguar banorët të kthehen në shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës dhe veriun e enklavës, si dhe për përdorimin e urisë si armë lufte.
Sipas zyrës, qindra mijëra kamionë ndihmash janë bllokuar për t’u futur në Gaza, duke e çuar popullsinë prej 2,4 milionësh, përfshirë mbi 1 milion fëmijë, në prag të urisë.
Zyra mban Izraelin dhe mbështetësit e tij, kryesisht ShBA-në, përgjegjës për shkatërrimin dhe u bën thirrje vendeve arabe dhe islame, komunitetit ndërkombëtar dhe OKB-së të “veprojnë menjëherë për të ndalur agresionin, për të hequr bllokadën, për të siguruar kthimin e familjeve të zhvendosura dhe për të mbajtur liderët izraelitë përgjegjës para gjykatave ndërkombëtare.”
Lufta gjenocidale e Izraelit në Gaza hyri të premten në ditën e 700-të, me mbi 64.300 palestinezë të vrarë. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me urinë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën mbi këtë enklavë.