Zvicra e gatshme të bëjë një “ofertë më tërheqëse” në bisedimet tregtare me SHBA-në

Zvicra e gatshme të bëjë një “ofertë më tërheqëse” në bisedimet tregtare me SHBA-në

Qeveria zvicerane ka deklaruar se është e gatshme të paraqesë një “ofertë më tërheqëse” në negociatat me SHBA-në mbi tarifat doganore, pa planifikuar masa kundërpërgjigjeje, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate zyrtare të qeverisë, Këshilli Federal vendosi të vazhdojë negociatat pas njoftimit të SHBA-së për një tarifë të re të rritur prej 39 për qind ndaj importeve nga Zvicra.

Në deklaratë theksohet se Zvicra mbetet e përkushtuar për të siguruar trajtim të drejtë në krahasim me konkurrentët kryesor, në mënyrë që të ruajë kushte të favorshme për ekonominë e saj.

“Këshilli Federal është i vendosur të vazhdojë diskutimet me SHBA-në përtej propozimit aktual të deklaratës së përbashkët dhe nëse është e nevojshme përtej afatit të 7 gushtit”, thuhet në deklaratë.

Duke theksuar se përmes kontakteve me komunitetin e biznesit janë zhvilluar qasje të reja për diskutimet me SHBA-në, qeveria bëri të ditur se do të vijojë negociatat me synimin për të arritur një marrëveshje tregtare.

“Zvicra hyn në këtë fazë të re e gatshme për të paraqitur një ofertë më tërheqëse, duke marrë parasysh shqetësimet e SHBA-së dhe duke synuar lehtësimin e situatës aktuale të tarifave”, u shtua më tej.

Tregtia dypalëshe ndërmjet dy vendeve është katërfishuar gjatë 20 viteve të fundit dhe aktualisht Zvicra është investitori i gjashti më i madh i huaj në SHBA.

“Këshilli Federal dëshiron të ruajë dhe të ndërtojë mbi këto marrëdhënie dinamike”, thuhet në deklaratë.

Tarifat e reja, të shpallura nga Washingtoni më 31 korrik, nënkuptojnë se afër 60 për qind e eksporteve zvicerane në SHBA do t’i nënshtrohen një tarife shtesë prej 39 për qind duke filluar nga 7 gushti.

Kjo e vendos Zvicrën në një “disavantazh të ndjeshëm” në krahasim me partnerët e tjerë tregtarë me profile të ngjashme ekonomikë, si BE-ja me 15 për qind, Mbretëria e Bashkuar me 10 për qind dhe Japonia me 15 për qind.

Në deklaratë u theksua gjithashtu se Këshilli Federal për momentin nuk po shqyrton ndonjë masë kundërpërgjigjeje.

MARKETING