Zmbrapset Vuçiq: Do të tërheq forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën

Zmbrapset Vuçiq: Do të tërheq forcat ushtarake nga kufiri me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të tërheq forcat ushtarake të vendosura pranë kufirit me Kosovën.

Vuçiq tha sot se nuk ka ndërmend të urdhërojë ushtrinë që të kalojë vendkalimet kufitare me Kosovën.

“Do të tërheq forcat serbe nga ajo zonë sepse përshkallëzimi i konfliktit do të ishte kundërproduktiv kur bëhet fjalë për dëshirën e Serbisë për t’u bërë anëtare e Bashkimi Evropian”, tha ai, transmeton Telegrafi.

“Pse kjo do të ishte e dobishme për Beogradin? Cila do të ishte ideja? Të na prishin pozicionin që kemi ndërtuar prej një viti? Të shkatërrohet brenda një dite? Serbia nuk dëshiron luftë”, tha presidenti serb Vuçiq, në një deklaratë për “Financial Times”.

Sipas mediave serbe, Vuçiq tha se paralajmërimet e Uashingtonit janë joproporcionale për shkak se numri i forcave serbe në terren po zvogëlohet.

“Vitin e kaluar kemi pasur 14,000 njerëz afër vijës administrative, sot kemi 7,500 dhe do ta reduktojmë në 4,000”, tha Vuçiq.

Ai tha se është “gënjeshtër e pastër” se Serbia po e dërgon ushtrinë në vijën administrative.

“Serbia nuk do të përfitonte nga kjo sepse do të rrezikonte pozitën e saj në negociatat me Prishtinën nën kujdesin e Bashkimit Evropian”, tha Vuçiq.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan.

Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.

Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim. NATO-ja ka shtuar forcat në veri. E, Qeveria e Kosovës ka thënë se në afërsi të kufirit është vendosur edhe artileria e rëndë e Ushtrisë së Serbisë.

MARKETING