Zjarri i ri në Los Angeles brenda disa orëve përhapet në një sipërfaqe mbi 3 mijë hektarë
Teksa vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në qytetin e Los Angeles, në rajonin Kaliforni të SHBA-së, një zjarr i ri në orët e fundit përreth liqenit Castaic ka përfshirë një sipërfaqe prej më shumë se 3 mijë hektarësh, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve në faqen e internetit të Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Californi (CAL FIRE), zjarri i Hughes i cili filloi përreth liqenit Castaic u përhap shpejt në një zonë të gjerë.
Pas zjarrit që ka mbuluar më shumë se 3 mijë hektarë sipërfaqe, janë lëshuar urdhra evakuimi për më shumë se 30.000 njerëz në rajon, ndërsa janë lëshuar paralajmërime evakuimi për më shumë se 20.000 të tjerë.
Në paralajmërime njoftohet se zjarri ka krijuar rrezik për jetën dhe se disa zona janë mbyllur për qasje nga banorët.
Nga zjarret që filluan më shumë se dy javë më parë në gjashtë zona të veçanta në Los Angeles, bëhet e ditur se që nga sot janë vënë nën kontroll 70 për qind e zjarrit në zonën e Palisades dhe në 95 për qind të zjarrit në Eaton.
Zyrtari i zjarrfikësve, Anthony Marrone, në një deklaratë tha se erërat nuk janë aq të forta sa kur shpërtheu zjarri për herë të parë dhe më tej theksoi se “Situata në të cilën ndodhemi tani është shumë më ndryshe”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në një deklaratë më 19 janar njoftoi se vizita e tij e parë pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë do të ishte më 24 janar në Kaliforninë Jugore, e cila është prekur nga zjarret.
– Zjarret në Los Angeles
Të paktën 28 persona kanë humbur jetën deri më sot nga zjarret që filluan në rajonin e Pacific Palisades në Los Angeles në mëngjesin e 7 janarit dhe u përhapën shpejt në zonat përreth, veçanërisht në zonat Eaton, Hurst, Sunset dhe Woodley.
Dëmi total dhe humbja ekonomike e shkaktuar nga zjarret të cilat kanë shndërruar mijëra hektarë në hi, vlerësohen nga 250 deri në 275 miliardë dollarë.