Zjarret në Shqipëri: 14 persona të identifikuar për zjarrvënie në 24 orët e fundit, 10 në pranga

Zjarret në Shqipëri: 14 persona të identifikuar për zjarrvënie në 24 orët e fundit, 10 në pranga

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit strukturat e Policisë së Shtetit kanë identifikuar 14 persona si autorë të zjarrvënieve në vend, transmeton Anadolu.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha ndër personat e identifikuar për zjarrvënie, dhjetë janë arrestuar dhe katër janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

“Forca Kombëtare e Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale janë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe mbështetur Emergjencat Civile e Zjarrfikësit për shuarjen e flakëve”, shkroi Rama.

Ditëve të fundit, Shqipëria po përballet me një valë të përhapur zjarresh në disa pjesë të vendit, të nxitura nga temperaturat e larta dhe era e fortë.

Sipas raportimeve më të fundit, një burrë 80-vjeçar humbi jetën nga asfiksia gjatë një zjarri në zonën e Gramshit, pasi besohet të ketë ndezur zjarr në kopshtin e shtëpisë së tij, i cili u përhap jashtë kontrollit dhe shkaktoi tragjedinë.

Qindra hektarë sipërfaqe pyjore dhe kullota janë përfshirë nga flakët, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe duke rrezikuar zona të banuara.

Autoritetet kanë paralajmëruar se zjarrvënia e qëllimshme do të ndiqet penalisht me masa të ashpra, ndërsa kanë bërë apel për bashkëpunim nga qytetarët në raportimin e çdo rasti të dyshimtë.

MARKETING