Zelenskyy udhëzon ekipin të finalizojë dokumentin mbi garancitë e sigurisë të SHBA-së
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se e ka udhëzuar ekipin e tij negociator të finalizojë dokumentin mbi garancitë e sigurisë nga SHBA-ja, me synimin që ai të dorëzohet për shqyrtim në “nivelin më të lartë”, transmeton Anadolu.
“Kam udhëzuar që dokumenti mbi garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën të finalizohet dhe të paraqitet për shqyrtim në nivelin më të lartë. Ky duhet të jetë një dokument me rëndësi historike dhe teksti tashmë po e arrin atë nivel”, shkroi Zelenskyy në platformën amerikane X.
Pas një raporti të detajuar nga ekipi i tij lidhur me komunikimet me Washingtonin, Zelenskyy paraqiti një agjendë për dy javët e ardhshme, e cila përfshin takime, përgatitje dokumentesh dhe nënshkrime të mundshme.
Ai bëri të ditur se u janë dhënë udhëzime edhe kryeministres Yuliia Svyrydenko dhe zyrtarëve të tjerë të lartë për të siguruar vlerësim profesional të aspekteve ekonomike në marrëveshjet e ardhshme, përfshirë edhe marrëveshje trepalëshe mes Ukrainës, Evropës dhe SHBA-së.
Duke u përqendruar në paktin e sigurisë, Zelenskyy pranoi se pala amerikane është në kontakt me Rusinë lidhur me një kornizë politike për përfundimin e luftës.
“Ne e kemi përcaktuar vizionin tonë dhe duhet të ketë reagim të qartë nga Rusia – nëse ajo është e gatshme ta përfundojë luftën me kushte reale”, theksoi ai.
Zelenskyy shtoi se, nëse Moska zgjedh vazhdimin e luftës, bota duhet të përgjigjet duke ulur të ardhurat nga eksportet ruse, në veçanti duke goditur flotën e ashtuquajtur “hije” të cisternave dhe skemat financiare që përdoren për të anashkaluar sanksionet.

