Zelenskyy do të takohet me Trumpin në Florida të dielën për të diskutuar dokumentin për përfundimin e luftës
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi sot se do të takohet të dielën në Florida me presidentin e SHBA-së Donald Trump për të diskutuar një draft-dokument që synon t’i japë fund luftës, së bashku me garancitë e sigurisë dhe një marrëveshje ekonomike, transmeton Anadolu.
“Kemi një agjendë të gjerë. Takimi do të jetë gjatë fundjavës. Mendoj se do të jetë të dielën, në Florida. Do të kemi një takim me presidentin Trump”, u tha Zelenskyy gazetarëve në Kiev, sipas agjencisë shtetërore ukrainase të lajmeve Ukrinform.
Lideri ukrainas tha se diskutimet do të fokusohen në një kornizë shumështresore për paqen.
“Hapi tjetër është një marrëveshje ekonomike; ka ende zhvillime bazike atje, megjithëse do të ketë disa marrëveshje dhe këtu duhet të diskutojmë drejtimin”, theksoi ai, duke shtuar se në takim do të trajtohen veçanërisht “mosmarrëveshjet” rreth menaxhimit të Centralit Bërthamor të Zaporizhias dhe çështjeve territoriale.
Takimi i planifikuar vjen pas aktivitetit diplomatik të kësaj jave në Florida, ku negociatorët ukrainas dhe amerikanë punuan mbi një kornizë me 20 pika.
Zelenskyy kishte thënë më herët se për rreth 90 për qind të draftit është rënë dakord, por çështje të ndjeshme si krijimi i zonave të demilitarizuara në Ukrainën lindore mbeten ende në negociata.
Më herët, presidenti shkroi në Telegram se “shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”.
“(Kreu i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ukrainës) Rustem Umerov raportoi mbi kontaktet e tij të fundit me palën amerikane. Ne nuk po humbasim asnjë ditë. U dakorduam të takohemi në nivelin më të lartë — me presidentin Trump — së shpejti. Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”, shkroi ai.
Ndërkohë, sipas mediave amerikane, takimi synon të finalizojë një plan paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, duke sinjalizuar një zhvillim pozitiv, pasi i dërguari special i Trumpit Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner njoftuan për përparime “konstruktive” gjatë bisedimeve të fshehta të mbajtura gjatë Krishtlindjeve me negociatorë si ukrainas, ashtu edhe rusë.
Axios raportoi se SHBA-ja dhe Evropa janë të përgatitura t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie të modeluara sipas Nenit 5 të NATO-s, që do të nënkuptonte përgjigje ushtarake dhe sanksione në rast të një sulmi ndaj Ukrainës.
Ndërsa pjesa më e madhe e elementeve është dakorduar, mbeten disa pengesa përfundimtare, përfshirë menaxhimin e kontestuar të centralit bërthamor të Zaporizhias, ka thënë Axios.

