Zelenskyy akuzon Putinin se po “përgatitet” për të refuzuar propozimin e SHBA-së për armëpushim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se “përgatitet të refuzojë” armëpushimin e propozuar nga Washingtoni gjatë bisedimeve me Kievin në Arabinë Saudite në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu.
Të martën, delegacioni amerikan dhe ai ukrainas u takuan në qytetin saudit Xhide për të diskutuar perspektivat për një marrëveshje të mundshme paqeje Moskë-Kiev, pas së cilës në një deklaratë e përbashkët u theksua gatishmëria e Kievit për të pranuar një armëpushim 30-ditor të propozuar nga Washingtoni.
Sot, Putin tha se vendi i tij pajtohet me propozimet për t’i dhënë fund armiqësive, por shtoi se Moska do t’i pranojë ato vetëm nëse “do të çojnë në paqe afatgjatë dhe do të eliminojnë shkaqet fillestare të kësaj krize”.
“Tani të gjithë kemi dëgjuar nga Rusia fjalë shumë të parashikueshme, shumë manipuluese nga Putini në përgjigje të idesë së heshtjes në front – ai në të vërtetë po përgatit një refuzim që tani”, tha Zelenskyy gjatë një fjalimi me video në mbrëmje të shpërndarë në llogarinë e tij Telegram.
Duke akuzuar Putinin për “një manipulim tjetër rus”, Zelenskyy pohoi se homologu i tij “ka frikë” t’i thotë presidentit të SHBA-së Donald Trump se ai dëshiron të vazhdojë konfliktin.
“Putini e bën shpesh këtë – ai nuk thotë ‘jo’ drejtpërdrejt, por e bën këtë në një mënyrë që praktikisht vetëm vonon gjithçka dhe i bën të pamundura vendimet normale”, tha ai më tej.
Zelenskyy shprehu gatishmërinë e Ukrainës për të punuar sa më shpejt dhe në mënyrë sa më konstruktive të jetë e mundur në lidhje me propozimin e armëpushimit, duke bërë thirrje për presion të mëtejshëm ndaj Moskës për të “detyruar Rusinë t’i japë fund luftës”.
“Ne nuk po vendosim kushte që komplikojnë asgjë. Kjo është ajo që po bën Rusia. Siç kemi thënë gjithmonë, e vetmja që do të vonojë gjithçka, e vetmja që do të jetë jokonstruktive është Rusia”, shtoi ai.