Zelensky: Ukraina duhet të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund luftës vitin e ardhshëm

Zelensky: Ukraina duhet të bëjë gjithçka për t’i dhënë fund luftës vitin e ardhshëm

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina duhet të bëjë gjithçka që mundet për të siguruar që lufta me Rusinë të përfundojë vitin e ardhshëm përmes diplomacisë.

Megjithatë, Zelensky tha se presidenti rus, Vladimir Putin nuk ishte i interesuar të binte dakord për një marrëveshje paqeje.

“Nga ana jonë, ne duhet të bëjmë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë me mjete diplomatike”, tha Zelensky.

Bëhet e ditur se ambasadori i Moskës në OKB në Gjenevë tha se Rusia do të ishte e hapur për negociata për përfundimin e luftës nëse ato do të niseshin nga Trumpi, megjithëse ai shtoi se ukrainasit do të duhej të pranonin “realitetet në terren”.

Moska e përdor këtë frazë për të nënkuptuar që Ukraina do të duhet të lëshojë katër rajone që forcat ruse i kanë pushtuar pjesërisht dhe që Rusia i ka pretenduar në tërësi, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Por, presidenti ukrainas ka përsëritur vazhdimisht se paqja nuk mund të vendoset derisa të dëbohen të gjitha forcat ruse dhe të kthehet i gjithë territori i pushtuar nga Moska, përfshirë Krimea.

Megjithatë, një kthim në kufijtë e Ukrainës të njohur ndërkombëtarisht të vitit 1991 nuk u përmend në “planin e fitores” të Zelenskyt, që ai e prezantoi publikisht muajin e kaluar.

Së fundmi, lideri ukrainas tha se lufta kishte të ngjarë të përfundonte më shpejt nën Trumpin, i cili ka deklaruar se do t’i jap fund konfliktit pa dhënë detaje.

Ndër tjera, Zelensky tha se ligji amerikan e pengonte atë të takohej me Trumpin përpara inaugurimit të tij më 20 janar.

“Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne për të siguruar një takim. Ne patëm një takim vërtet të mirë në shtator”, tha presidenti i Ukrainës duke shtuar se do të flasë vetëm me Trumpin e jo me ndonjë emisar apo këshilltar. /Telegrafi/

MARKETING