Zelensky-Trumpit: Rritni presionin ndaj Putinit, jo ndaj meje
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se dëshiron më shumë qartësi mbi atë që Shtetet e Bashkuara do të bëjnë për të siguruar paqen e ardhshme me Rusinë.
Ai e tha këtë në intervista ekskluzive me Politico dhe Welt në Pallatin Presidencial në Kiev.
Duke folur për konfliktin Rusi-Ukrainë, Zelensky theksoi se pavarësisht lodhjes së popullit, morali i tyre është i lartë. Ai tha se ukrainasit nuk janë të gatshëm të pranojnë ultimatumin e Rusisë për të lëshuar zona të mëdha në lindje të vendit.
Në kontekstin e bisedimeve të paqes, Zelensky e bëri të qartë se ndikimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump do të mbetet po aq themelor sa më parë. “Ne kemi nevojë për negociata. Ne i mbështesim ato. Por ne nuk i besojmë Rusisë, por mendoj dhe besoj se amerikanët me të vërtetë duan t’i japin fund kësaj lufte. Shpresoj se ata do të na ndihmojnë, por Rusia ka nevojë për më shumë presion, jo unë”, theksoi Zelensky.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i ofrojnë Ukrainës disa garanci sigurie që do të formonin bazën e çdo marrëveshjeje paqeje, por si më parë, ende nuk ka informacion se cilat do të jenë këto premtime.
“Jini të sinqertë. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, por nuk kemi një përgjigje të qartë”, tha udhëheqësi ukrainas.

