Zelensky shtyn vizitën në Arabinë Saudite pas takimit SHBA-Rusi: Do t’i pres zyrtarët amerikanë në Kiev

Zelensky shtyn vizitën në Arabinë Saudite pas takimit SHBA-Rusi: Do t’i pres zyrtarët amerikanë në Kiev

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka ndryshuar planet e tij për një vizitë në Arabinë Saudite, që ishte paraparë të zhvillohej të mërkurën.

Këtë njoftim ai e bëri më 18 shkurt gjatë një konference për media me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Turqi.

Ai tha se përfaqësuesit ukrainas nuk u ftuan në takimin e mbajtur midis delegacioneve amerikane dhe ruse në Arabinë Saudite, duke theksuar se kjo “ishte befasi për ne”.

‘Nuk duam që askush të vendosë prapa shpinës sonë… Asnjë vendim nuk mund të merret pa Ukrainën lidhur me përfundimin e luftës në Ukrainë”, tha Zelensky.

 

 

Kur u pyet nëse planifikonte të takohej me përfaqësuesit amerikanë që do të qëndrojnë në Riad, Zelensky tha se nuk e di se kush saktësisht do të qëndrojë në Arabinë Saudite.

“Sinqerisht, nuk më intereson. Nuk më intereson nëse partnerët tanë mendojnë shumë për ne. Ne jemi të sinqert dhe të hapur. Kjo është arsyeja pse nuk do të shkoj në Arabinë Saudite. Kam një raport të mirë me Princin e Kurorës, Muhammad bin Salman. I kemi kontaktuar dhe jemi pajtuar që do të zhvilloj një vizitë zyrtare më 10 mars”, tha ai.

Presidenti ukrainas tha se do të presë për vizitë në Kiev përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 14 shkurt, Zelensky kishte njoftuar se do të vizitonte Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Turqinë. Megjithatë, pas vizitës në Emirate, presidenti ukrainas shkoi në Turqi.

MARKETING