Zelensky: Rebelimi i Wagner ndikoi shumë në fuqinë ruse

Zelensky: Rebelimi i Wagner ndikoi shumë në fuqinë ruse

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se përpjekja për grushtshtet të shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin në Rusi javën e kaluar, “ndikoi shumë fuqinë ruse në fushëbetejë” dhe mund të përfitonte nga kundërofensiva e Ukrainës.
“Ata po e humbin luftën. Ata nuk kanë më fitore në fushëbetejë në Ukrainë, ndaj po fillojnë të kërkojnë fajtorin”, tha ai në konferencën për shtyp të mediave spanjolle, e cila u mbajt dje në Kiev, transmeton Telegrafi.

“Rebelimi i Prigozhin mund të jetë i dobishëm në fazat e hershme të kundërofensive të Ukrainës. Ne duhet ta përdorim këtë situatë për të larguar armikun nga vendi ynë”, shtoi presidenti ukrainas.

Zelensky tha se kundërofensiva nuk do të jetë e shpejtë, sepse ai vlerëson jetët njerëzore.
“Çdo metër, çdo kilometër paguhet me jetë… Mund të bësh diçka shumë shpejt, por fushëbeteja është tërësisht e minuar. Njerëzit janë thesari ynë. Prandaj jemi shumë të kujdesshëm”, shtoi Zelensky.
I pari i Ukrainës pohoi gjithashtu se 21,000 mercenarë të Wagner u vranë në lindje të Ukrainës. Ai nuk ka specifikuar se për cilën periudhë bëhet fjalë.

“Grupi më i fuqishëm i Wagner ishte në lindje të Ukrainës. Trupat tona vranë 21,000 pjesëtarë të Wagner vetëm në lindje të Ukrainës dhe plagosën 80,000 prej tyre”, tha për fund Zelensky.

MARKETING