Zelensky: Putini më urren mua dhe unë e urrej atë gjithashtu

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është pyetur pse mendon se Putini po e shmang.
“Nuk është sekret”, përgjigjet Zelensky.
“Siç tha Trump, Putini më urren”, shtoi ai.
Kur pyetet nëse ai e urren Putinin, Zelensky përgjigjet se Putini dëshiron të vrasë të gjithë njerëzit e tij, kështu që është e kuptueshme që ai do të kishte një ndjenjë të ngjashme ndaj Putinit.
“Nuk ka të bëjë me ndjenjat… ata na sulmuan – dhe i kemi armiq…sigurisht, ne e urrejmë armikun”, vazhdoi lideri ukrainas.
Ndryshe, Zelensky dështoi të siguronte raketat Tomahawk për sulmet ndaj Rusisë nga takimi me Donald Trumpin, me presidentin amerikan që më vonë u bëri thirrje të dyja palëve të ndërpresin luftimet dhe të pranojnë linjat aktuale të betejës.
Zelensky kishte udhëtuar për në Uashington me shpresën për të marrë raketat lundruese me rreze të gjatë veprimi, të cilat ai beson se mund t’i japin një goditje vendimtare ekonomisë së luftës së Kremlinit duke mundësuar sulme të synuara ndaj objekteve të naftës dhe energjisë thellë brenda Rusisë.
Megjithatë, gjatë fjalës hapëse në një drekë në Shtëpinë e Bardhë, Trump shprehu shpresën për të zgjidhur luftën “pa menduar për Tomahawk”. /Telegrafi/