Zelensky: Mbështetja e Orbanit për Rusinë, gabim historik

Zelensky: Mbështetja e Orbanit për Rusinë, gabim historik

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar politikat dhe mesazhet kundër Ukrainës të kryeministrit populist hungarez, Viktor Orban, si “gabim historik”.

MARKETING

Në një intervistë për median hungareze Valasz Online, të publikuar të martën, Zelensky e akuzoi Orbanin se po përdor propagandën kundër Ukrainën me qëllim që të përfitojë në politikën e brendshme.

“Ai [Orbani] po e përdor Ukrainën për qëllimet e tij elektorale”, tha ai. “Ai nuk e kupton se kjo do të ketë pasoja shumë serioze dhe të rrezikshme. Duke mos na ndihmuar ne, ai po i bën një favor [presidentit rus, Vladimir] Putin. Prandaj unë them se Viktori është duke bërë një gabim serioz dhe historik”.

Për javë të tëra, qeveria e Orbanit po zhvillon një fushatë përmes vendosjes së pankartave me mesazhe kundër ndihmës për Ukrainën dhe po kundërshton anëtarësimin e Kievit në Bashkimin Evropian. Mesazhi kryesor i fushatës është se ndihma për Ukrainën do ta tërhiqte Hungarinë në luftë dhe do të dëmtonte ekonominë e shtetit.

Në disa pankarta është vendosur edhe portreti i Zelenskyt. “Si mund ta përdorë ai fytyrën time për zgjedhjet e tij? Unë nuk i kam dhënë leje për një gjë të tillë”, tha Zelensky.

 

MARKETING