Zelensky: Kemi informacione nga inteligjenca se Rusia po përgatit ofensivë të re

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se inteligjenca ukrainase ka informacione që tregojnë se Rusia po përgatit operacione të reja ofensive.
MARKETING
“Sot, mbajta një takim me Shtabin e Përgjithsëm. Pati raporte të inteligjencës – shumë të hollësishme. Diskutuam situatën e përgjithshme: luftën, qëllimet e Rusisë, aftësitë e trupave të Rusisë dhe kompleksin e saj ushtarak dhe industrial, si dhe aftësinë tonë për të ushtruar presion mbi Rusinë dhe për të prishur planet e saj”, tha Zelensky, transmeton Telegrafi.
“Nga informacioni i marrë nga inteligjenca dhe nga të dhënat me burim të hapur, mund të shohim se Putini dhe rrethi i tij nuk planifikojnë t’i japin fund luftës. Aktualisht nuk ka asnjë tregues se ata po e shqyrtojnë seriozisht paqen ose diplomacinë. Përkundrazi, ka prova të mjaftueshme se ata po përgatiten për operacione të reja ofensive”, tha ndër tjera presidenti ukrainas.
Gjithashtu theksoi se Rusia shpreson që kjo luftë të vazhdojë dhe se kjo është, nga ana e saj, “një shpërfillje e hapur për të gjithë ata në mbarë botën që kërkojnë paqe dhe po përpiqen të bëjnë punë diplomatike”.
Zelensky është i sigurt se shërbimet e inteligjencës së partnerëve ukrainas gjithashtu e kanë këtë informacion, janë gjithashtu të vetëdijshëm për këto fakte dhe është thelbësore që ata të mos i mbyllin sytë, por përkundrazi t’i raportojnë udhëheqjes së tyre.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi më 23 maj se Rusia do t’i paraqesë Ukrainës një draft “dokument zgjidhjeje” sapo të përfundojë shkëmbimi i të burgosurve.