Zelensky: Jam i sigurt se SHBA-ja nuk do të na tradhtojë

Zelensky: Jam i sigurt se SHBA-ja  nuk do të na tradhtojë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se është i sigurt se SHBA-ja nuk do ta tradhtojë Kievin dhe do të zbatojë marrëveshjet e arritura mes dy vendeve për ndihmën financiare, transmeton Anadolu.

“Sa i përket ndihmës financiare, ne po punojmë shumë për këtë. Jam i sigurt se SHBA-ja nuk do të na tradhtojë dhe se ajo për të cilën kemi rënë dakord në SHBA do të zbatohet plotësisht”, tha Zelenskyy gjatë një konference për media të fund-vitit në kryeqytetin Kiev.

Ai tha se zhvillimet në lidhje me forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë të rëndësishme dhe se ky dimër do të jetë ndryshe për shkak të sfidave të ndryshme.

“Por ne po bëhemi më të fortë dhe më të fuqishëm. Kemi pasur një udhëtim serioz pune. Disa sisteme të reja ‘Patriot’ do të jenë në Ukrainë për të mbrojtur vendin tonë në dimër. Ky është një rezultat shumë i rëndësishëm”, tha Zelenskyy.

Sipas tij, Rusia “dështoi” në arritjen e ndonjë rezultati në vijën e frontit gjatë këtij viti. Ai shtoi se kjo vërtetohet përmes retorikës së pandryshuar të Kremlinit në lidhje me “operacionin special ushtarak”.

“Nuk ka asgjë për të folur për humbjet. Rusia nuk arriti asnjë fitore. Çfarë tre ditësh… dy vjet. Luftëtarët tanë janë të mëdhenj, njerëzit tanë janë të mëdhenj. Unë u jam edhe një herë mirënjohës atyre për këtë”, tha Zelenskyy.

Presidenti ukrainas gjithashtu tha se ushtria ukrainase propozoi të mobilizojë 450 mijë deri në 500 mijë njerëz shtesë për ushtrinë.

“Kjo është një shifër shumë serioze. Unë thashë se më duhen më shumë argumente për ta mbështetur këtë drejtim, sepse është çështje e njerëzve para së gjithash”, tha ai.

MARKETING