Zelensky: Garancitë dypalëshe të sigurisë një “kompromis” për pranimin e Ukrainës në NATO
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i ka quajtur garancitë dypalëshe të sigurisë me SHBA-në, Evropën dhe vendet e tjera një “kompromis” për pranimin e Ukrainës në NATO, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët, Zelenskyy kujtoi qëndrimin e hershëm të vendit të tij për t’u bashkuar me aleancën pasi kjo i siguron vendit “garanci reale të sigurisë”, por tha se disa nga partnerët e Kievit në SHBA dhe Evropë nuk e mbështesin këtë rrugë.
Ai tha se Ukraina tani po ndjek garanci dypalëshe të sigurisë me SHBA-në, përkatësisht “garanci të ngjashme me Nenin 5”, duke iu referuar Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, si dhe garanci nga vendet evropiane dhe të tjera, përfshirë Kanadanë dhe Japoninë.
“Këto garanci të sigurisë për ne janë një mundësi për të parandaluar një tjetër agresion rus. Dhe, ky tashmë është një kompromis nga ana jonë”, tha Zelenskyy.
Komentet e presidentit ukrainas shënojnë një ndryshim të madh në qasjen e Kievit ndaj anëtarësimit në NATO, që u përcaktua si objektiv në Kushtetutën e Ukrainës pas një votimi parlamentar për të futur ndryshime kushtetuese në vitin 2019.
Rusia vazhdimisht ka shprehur kundërshtimin e saj ndaj pranimit të Ukrainës në NATO.

