Zbulohet varianti i ri i COVID në Pakistan, besohet se shtoi infektimet në Kinë

Zbulohet varianti i ri i COVID në Pakistan, besohet se shtoi infektimet në Kinë

Autoritetet shëndetësore në Pakistan konfirmuan praninë e variantit të ri të coronavirusit që shkakton sëmundjen COVID-19, që besohet të jetë shkaktari i rritjes së rasteve në Kinë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë (NIH) konfirmoi zbulimin e nënvariantit Omicron XBB në Pakistan, shkruan REL.

Kryeministri Shehbaz Sharif shqyrtoi situatën e COVID-19 dhe gatishmërinë e autoriteteve për t’u marrë me një rritje të mundshme të rasteve të reja pas zbulimit të variantit të ri.
Ai u kërkoi autoriteteve të rrisin kontrollin e pasagjerëve në aeroporte, në vendkalimet kufitare dhe të vaksinojnë fëmijët e moshës nga 5 deri në 12 vjeç në mënyrë urgjente.

“Ne mund të merremi me variantin e ri sepse niveli i imunitetit të qytetarëve është më i mirë për shkak të vaksinimit”, tha një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë.

Rreth 90 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, ndërsa autoritetet në Punjab, provinca më e populluar e vendit, kanë rekomanduar një dozë përforcuese për mbrojtjen kundër virusit.

Jeta është kthyer në normalitet që nga shpërthimi i pandemisë në fillim të vitit 2020 dhe Pakistani nuk ka më asnjë kufizim në fuqi.

MARKETING