YouTube po sjell një ndryshim të madh – çfarë do të hiqet nga tregu

YouTube po sjell një ndryshim të madh – çfarë do të hiqet nga tregu

Faqja popullore për përmbajtje video ka marrë vendimin për të hequr faqen e njohur.

Kompania YouTube ka njoftuar se së shpejti do të heqë faqen e saj të njohur “Trending” (Në trend), si dhe listën “Trending Now”.

Këto funksione, që kanë qenë të pranishme në platformë që nga viti 2015, do të zëvendësohen nga një sistem i ri i quajtur YouTube Charts.
Sipas njoftimit, YouTube Charts do t’u ofrojë përdoruesve një pasqyrë të përmbajtjeve më të shikuara sipas temave, duke përfshirë videoklipe muzikore, podkaste, trejlerë filmash, si dhe kategori të tjera që do të shtohen gradualisht. Përmbajtjet që lidhen me lojërat do të mbeten të disponueshme përmes faqes Gaming Explore.

Nga YouTube shpjegojnë se mënyra se si përdoruesit zbulojnë përmbajtje popullore është ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Në vend që të vizitojnë seksionin Trending, gjithnjë e më shumë përdorues konsumojnë përmbajtje përmes formatit Shorts, videove të sugjeruara nga algoritmi, si dhe përmes rrjeteve të tjera si TikTok.

Gjithashtu, krijuesit kanë kritikuar prej kohësh listën Trending, duke pohuar se ajo shpesh favorizon markat e mëdha dhe përmbajtjet zyrtare, ndërkohë që autorët e vegjël dhe të pavarur mbeten në hije.

Për të përmirësuar dukshmërinë e përmbajtjeve të reja dhe të larmishme, YouTube ka njoftuar edhe mjete shtesë për krijuesit. Ndër to është Inspiration Tab – një mjet që përdor inteligjencën artificiale për të gjeneruar ide bazuar në interesat aktuale të shikuesve; si dhe Hype – një funksion eksperimental përmes të cilit përdoruesit mund të mbështesin video që më pas të shfaqen në një playlist më të gjerë trending.

Fshirja e faqes Trending është planifikuar për fundin e korrikut 2025, ndërsa funksionaliteti i ri është tashmë i disponueshëm në disa vende përmes YouTube Charts.

MARKETING