Xhamajka sekuestron kokainë me vlerë 80 milionë dollarë
Autoritetet e Xhamajkës kanë sekuestruar kokainë me vlerë rreth 80 milionë dollarë në një nga kapjet më të mëdha të drogës në vend.
Zyrtarët zbuluan dërgesën e fshehur brenda një anijeje mallrash në portin e Kingston vonë të shtunën, tha Forca e Mbrojtjes e Xhamajkës, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.
Policia tha se nga kontrolli i anijes së mallrave që kishte ardhur nga Amerika e Jugut, u gjetën më shumë se 1500 kilogramë kokainë, e cila ishte ndarë në 50 thasë që përmbanin 1250 pako.
Xhamajka është përdorur prej kohësh si një qendër nga organizatat kriminale transnacionale për të lëvizur armë dhe drogë, duke përfshirë dërgimin e kokainës në Amerikën e Veriut dhe Evropë.
Forca e Mbrojtjes së Xhamajkës tha se do të vazhdojë të luftojë kundër kriminelëve që kërkojnë të “përfitojnë nga rëndësia gjeostrategjike e Xhamajkës në tregtinë botërore duke shfrytëzuar ngarkesat legjitime”.
Në tetor, agjencia globale e policisë Interpol tha se autoritetet xhamajkane kishin gjetur një sasi rekord prej 500 kg kokainë.