WhatsApp së shpejti do të lansojë veçorinë për editimin e mesazheve

WhatsApp së shpejti do të lansojë veçorinë për editimin e mesazheve

WhatsApp thotë se do t’i lejojë përdoruesit të ndryshojnë mesazhet, një veçori e ngjashme që e kanë konkurrentët sikurse Telegram dhe Discord.

Kompania thotë se mesazhet mund të ndryshohen deri në 15 minuta pasi të jenë dërguar, transmeton Telegrafi.

Rrjeti social për mesazhe është pjesë e gjigantit amerikan të teknologjisë Meta, që zotëron gjithashtu Facebook-un dhe Instagram-in.

Ky funksion do të vihet në dispozicion për 2 miliardë përdorues të WhatsApp në javët e ardhshme. India është tregu i saj më i madh me 487 milionë përdorues.

“Nga korrigjimi i një gabimi të thjeshtë drejtshkrimor deri tek shtimi i kontekstit shtesë në një mesazh, ne jemi të ngazëllyer që t’ju sjellim më shumë kontroll mbi bisedat tuaja”, tha shërbimi i mesazheve në një postim në blog të hënën.

“Gjithçka që duhet të bëni është të mbani shtypur mesazhin që doni ta ndryshoni dhe pastaj zgjidhni ‘Edit’ nga menyja deri në pesëmbëdhjetë minuta më pas”, thuhet tutje.

Mesazhet e ndryshuara do të etiketohen si “të edituara”, kështu që marrësit do ta dinë se nëse keni ndryshuar përmbajtjen e mesazhit.

Megjithatë, atyre nuk do t’iu tregohet se si mesazhi është modifikuar me kalimin e kohës.

MARKETING