Vuçiq: Serbia seriozisht e rrezikuar nga aleanca ushtarake e Prishtinës, Zagrebit dhe Tiranës

Vuçiq: Serbia seriozisht e rrezikuar nga aleanca ushtarake e Prishtinës, Zagrebit dhe Tiranës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia është seriozisht e rrezikuar nga formimi i një aleance ushtarake midis Prishtinës, Zagrebit dhe Tiranës, duke shprehur shqetësim për atë që ai e cilësoi si heshtje globale lidhur me këtë çështje, transmeton Anadolu.

“Me formimin e aleancës ushtarake të Kroacisë, Prishtinës dhe Tiranës, ne jemi seriozisht të rrezikuar dhe do të merremi me këtë problem. Kjo është një çështje që duhet ta marrim seriozisht”, u tha Vuçiq gazetarëve në Mynih, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Presidenti serb njoftoi se së shpejti do të marrë pjesë në një takim të Kolegjiumit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe do të vizitojë ndërmarrje të industrisë ushtarake. Ai tha gjithashtu se do të ndahen burime të mëdha shtesë për prodhimin e armëve dhe pajisjeve, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

“Do të duhet të eksportojmë armë për të siguruar të ardhura, por do të rrisim pjesën e prodhimit që shkon drejtpërdrejtë për ushtrinë, gjë që nuk ka qenë rasti deri më tani. Deri në 30, ndoshta edhe 40 për qind e prodhimit tonë do të shkojë drejtpërdrejtë për Ushtrinë e Serbisë”, theksoi Vuçiç.

Vuçiq gjithashtu shprehu shqetësim për atë që, sipas tij, është neglizhencë e komunitetit ndërkombëtar ndaj formimit të kësaj aleance, duke theksuar se nuk bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim ushtarak, por për një aleancë me implikime të qarta politike dhe të sigurisë.

“Më shqetëson fakti që të gjithë bëhen sikur nuk dëgjojnë dhe flasin për bashkëpunim. Pyetja nuk është kujt i shisni municion, por me kë jeni në aleancë ushtarake, kë mbroni ose sulmoni”, tha ai.

Ai theksoi se Serbia i merr seriozisht kërcënimet e sigurisë dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e territorit dhe popullit të saj.

“Serbia është e gatshme të mbrojë territorin dhe popullin e saj më fuqishëm se kurrë dhe nga muaji në muaj do të jemi gjithnjë e më të fortë”, shtoi Vuçiq.

– Takimi trilateral në Mynih

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, sot ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Anushiq, zhvilloi një takim trilateral me ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kosovës, Pirro Vengu dhe Ejup Maqedonci, duke theksuar se bashkëpunimi nuk është i “drejtuar kundër asnjë vendi fqinj”.

Tema e bisedimeve ishte bashkëpunimi i ardhshëm në kuadër të Deklaratës për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, përmes së cilës tre vendet synojnë të zhvillojnë projekte të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes dhe të forcojnë bashkëpunimin e forcave të tyre të armatosura.

Në një postim në rrjetin social amerikan X, Anushiq tha se deklarata nuk synon të kërcënojë askënd dhe se qëllimi i saj është forcimi i stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore.

“Ky bashkëpunim synon forcimin e stabilitetit në rajon dhe nuk kërcënon askënd. Qëllimi ynë është thellimi i partneritetit dhe aleancës midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ai.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë kritikoi aktivitetet e Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, duke pretenduar se ato bien ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjen e Kumanovës.

Reagimi pasoi njoftimin e Shqipërisë për zhvillimin e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake trilaterale në vitin 2026.

Memorandumi për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës u nënshkrua më 18 mars të vitit 2025 në Tiranë.

MARKETING