Vuçiq: Serbia e ka ndaluar shitjen e armëve për Izraelin

Vuçiq: Serbia e ka ndaluar shitjen e armëve për Izraelin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se shitja e municioneve për Izraelin është ndaluar pas konfliktit që filloi me sulmet e Izraelit ndaj Iranit, raporton Anadolu.

MARKETING

Vuçiq, i cili bëri deklaratë pas takimit të Bordit të shtabit të përgjithshëm serb në kryeqytetin Beograd, tha se vendi i tij i sheh si vende mike si Izraelin ashtu edhe Iranin. Ai tha se ata nuk e fshehën faktin se i shitën municione Izraelit pas 7 tetorit 2023 dhe se ishin të vendosur ta mbështesnin Izraelin pavarësisht kritikave.

Ai theksoi se ata ndaluan shitjen e municioneve për Izraelin, i cili hyri në konflikt me Iranin.

Duke potencuar se duan paqe në Lindjen e Mesme, Vuçiq tha: “Si Izraeli ashtu edhe Irani janë vendet tona mike. Hebrenjtë janë gjithmonë të respektuar këtu. Të dy popujt janë miqtë tanë”.

Presidenti serb komentoi gjithashtu sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran, duke thënë:

“E drejta ndërkombëtare është shkelur qartësisht. Nuk ka më drejtësi apo rregulla. Si do t’i japë Perëndimi leksione Rusisë apo kujtdo tjetër për integritetin territorial? Të gjithë i kanë shkelur këto rregulla. Bota me gjithë kuptimin e fjalës po bie në kaos. Të gjithë tani po sillen sikur kanë të drejtë të sulmojnë të gjithë të tjerët. Çmenduria është përhapur në të gjithë botën. Nuk ka mbetur askush për t’i besuar”.

Ai shtoi se ata donin të forconin ushtrinë serbe dhe se kanë bërë punë të rëndësishme në këtë drejtim në 10 vitet e fundit. Vuçiq tha se do të fillojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi dhe se punojnë për të përmirësuar kushtet e ushtarëve profesionistë.

MARKETING