Vuçiq: Pse duhet të fajësohet Beogradi për ngjarjet në veri të Kosovës
Serbia do të hetojë ngjarjet që çuan në konfliktin e armatosur në zonën e fshatit Banjska në Veri të Kosovës, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Ai mohoi çdo përfshirje të qeverisë në Beograd në atë incident.
Vuçiq i tha Reuters se Beogradi dënoi vrasjen e policit kosovar Afrim Bunjaku në Banjska më 24 shtator dhe shtoi se Serbia do të “fillojë procedurat para autoriteteve kompetente gjyqësore” dhe do të hetojë të dyshuarit.
“Cilat do të jenë vepra të mundshme kriminale, kjo është pyetje e prokurorit ”, tha Vuçiq në Beograd.
Ai premtoi se Serbia do të hetojë origjinën e armëve të konfiskuara nga policia e Kosovës pas konfliktit në fshatin Banjskë, ku ndër të tjera përfshihen pushkë, raketahedhëse antitank, granata dore, mina tokësore dhe dronë.
Vuçiq tha gjithashtu se “prokurori do të thërrasë” nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilin Kosova e akuzon se ka komanduar një grup sulmuesish në Banjskë.
Presidenti serb akuzoi policinë e Kosovës se e qëlloi në kokë njërin prej sulmuesve “nga një distancë prej një metri” pasi ai u dorëzua dhe e cilësoi atë si “ekzekutim”.
Zëvendës komandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Veton Elshani, tha për Reuters se kjo ishte “marrëzi” dhe se policët e Kosovës “nuk do ta bënin kurrë këtë”.
Njërit prej të arrestuarve i dhamë ndihmën e parë në terren për t’i shpëtuar jetën pasi që ishte plagosur ”, tha Elshani.
Vuçiq ka mohuar akuzat e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani se Beogradi ka nxitur sulmin në Banjska, duke thënë se Serbia nuk do të përfitojë nga ky rast dhe se do të rrezikojë pozicionin e saj në dialogun me Prishtinën.
“Pse do të përfitonte Beogradi nga kjo? Cila do të ishte ideja? Të shkatërrohet pozicioni ynë që kemi ndërtuar për një vit? Të shkatërrohet brenda një dite? Serbia nuk dëshiron luftë”, tha Vuçiq .
Ai akuzoi sërish kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se dëshiron të dëbojë serbët nga Kosova dhe të bllokojë arritjen e një zgjidhjeje kompromisi të nevojshme për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Shkaku i të gjitha problemeve në Kosovë është Albin Kurti. Është ai që i solli të gjitha këto ”, tha Vuçiq.