Vuçiq pretendon se shpallja e pavarësisë së Kosovës nisi rrënimin e rendit botëror
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se me “shpalljen e njëanshme” të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është hapur “Kutia e Pandorës e padrejtësisë” dhe ka nisur rrënimi i rendit botëror, si dhe ka përsëritur se “paratë për rrënimin e Serbisë” vijnë nga jashtë, transmeton Anadolu
Duke folur për TV Pink nga Neë Delhi, Vuçiq tha se sot, 18 vjet më vonë, shihen qartë, sipas tij, “pasojat katastrofike të vendimeve të gabuara” të fuqive perëndimore në vitet 1999 dhe 2008, jo vetëm për Serbinë dhe rajonin, por edhe për Evropën dhe botën.
“Kutia e Pandorës e shkatërrimit të shteteve sovrane u hap atëherë me vendimin e të fuqishmëve që nuk u shqetësuan për të drejtën ndërkombëtare. Ata menduan se ishin të gjithëfuqishëm dhe se mund të ndanin drejtësinë me zjarr dhe shpatë”, tha Vuçiq.
Ai vlerësoi se ky akt shënoi fillimin e rrënimit të rendit juridik ndërkombëtar, duke shtuar se sot të njëjtat fuqi po përballen me pasojat e atyre vendimeve.
“Aleanca e re ushtarake Tiranë-Zagreb-Prishtinë” nuk është rastësi
Presidenti serb gjithashtu pretendoi se formimi i një “aleance të re ushtarake midis Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës” nuk është rastësi dhe përbën kërcënim për Serbinë. Sipas tij, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj Kushtetutës së saj, së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Soç tha ai, Serbia do të vazhdojë politikën e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, si dhe forcimin e kapaciteteve ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë.
Duke folur për zhvillimet e brendshme në Serbi, Vuçiq komentoi protestën e një grupi qytetarësh kundër ndërtimit të një akuariumi në Parkun Ushçe në Beograd, duke theksuar se “dëshira për të rrëzuar gjithçka që ndërtohet” tregon “sa para nga jashtë janë investuar për destabilizimin e vendit”.
“Është e pabesueshme që gjithçka që ndërtohet, dikush dëshiron ta rrëzojë. Kjo nuk flet për njerëzit tanë, por për sasinë e parave që vijnë nga jashtë për rrënimin e shtetit dhe të kishës”, u shpreh ai.
Vuçiq i krahasoi protestat me lëvizjen ludiste të shekullit të 19-të, duke pretenduar se edhe në Serbi ekziston “një lloj lëvizjeje ludiste” që synon të pengojë përparimin e vendit.
“Populli fitoi, shteti fitoi. Fitues janë njerëzit që duan të ruajnë vlerat e tyre dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre”, tha presidenti serb.
Protestat në mbarë Serbinë nisën pas tragjedisë së 1 nëntorit të vitit 2024, kur nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad humbën jetën 16 persona.

