Vuçiq në OKB: Kosova është “shtylla kryesore e identitetit shpirtëror” të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në fjalimin e tij në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork më 24 shtator, deklaroi se Kosova “mbetet pjesë e pandashme e Serbisë” dhe, siç e quajti ai, “shtylla kryesore e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore” të vendit të tij.
“Për ne, serbët, ajo nuk është vetëm një copë toke, por djepi i shpirtësisë dhe ekzistencës sonë në atë vend”, tha Vuçiq, transmeton REL, shkruan Klankosova.tv.
Ai pretendoi se serbët në Kosovë jetojnë në “kushte dramatike”, duke vazhduar të pretendojë se atyre u mohohen të drejtat elementare. “U mohohet e drejta për jetë, lëvizje, arsim dhe kujdes shëndetësor. U ndalohet qasja në vendin e punës dhe te pasuria e tyre”, tha presidenti serb.
Vuçiqi u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare që të “marrin hapa konkretë e vendimtarë” për të ndaluar, siç u shpreh ai, dhunën në Kosovë, duke theksuar se “Serbia beson në dialogun nën ombrellën e Bashkimit Evropian”.